“Murat Jashari President në vend të Vjosa Osmanit”, zbardhen dy qëllimet ndaj Albin Kurtit

“Murat Jashari President në vend të Vjosa Osmanit”, zbardhen dy qëllimet ndaj Albin Kurtit

Bytyçi: Murat Jashari e kupton ose duhet ta kuptojë se propozimi i tij për atë post është i pasinqertë dhe intrigë e radhës…Tashmë kur Kosova është në prag të formimit të institucioneve të reja, përfshirë edhe postin e Presidentit, partitë politike kanë filluar që ta kundërshtojnë zgjedhjen e Vjosa Osmanit në këtë post.Madje disa prej partive politike kanë propozuar që në vend të Osmanit të jetë anëtari i familjes Jashari, Murat Jashari, si president konsensual, në mënyrë që të evitohet kriza politike dhe shkuarja përsëri në zgjedhje të reja.E lidhur me këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.“Ka disa kohë që Murat Jashari përmendet si kandidat për president i Republikës së Kosovës.

Dhe ta përmendësh e ta bësh kryetar shteti një nga pjesëtarët e Familjes Jashari, përkatësisht Murat Jasharin, është nder dhe homazh për sakrificat e kësaj familjeje. Në çdo kohë mundet që dikush nga kjo familje të marrë përsipër detyra të rëndësishme në krye të institucioneve të Kosovës. Kjo nuk e dëmton Kosovën, përkundrazi, e nderon atë dhe madje e forcon më tej. Murat Jashari president i Kosovës është një garanci më shumë për shtetësinë e saj, sepse themelet e lirisë së Kosovës janë çimentuar me sakrificën e mbi 50 anëtarëve të kësaj familjeje”, thotë Bytyçi.Por Bytyçi ka kritikuar partitë opozitare, të cilat sipas tij, para zgjedhjeve nuk e kishin emrin e Murat Jasharit si kandidat për President të vendit.

“Megjithatë, më bën përshtypje një fakt. Partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Vetëvendosja, shpalli si kandidate gjatë fushatës zonjën Vjosa Osmani. Kjo parti vazhdon ta mbrojë kandidaturën e saj dhe për këtë ajo përdor me të drejtë legjitimitetin e zonjës Osmani për shkak të 300.800 votave që mori në ato zgjedhje. Para zgjedhjeve të 14 shkurtit Haradinaj ishte vetëshpallur kandidat për president. Ndërsa Partia Demokratike herë pas here përmendi emrin e Vlora Çitakut për këtë post. Lidhja Demokratike e Kosovës dihet se donte që ta vazhdonte linjën e dikurshme të marrëveshjes me Thaçin, për ta lënë Isa Mustafën si trashëgimtar të njeriut të Hagës. Të tri këto parti para zgjedhjeve kishin nga një kandidat për president të vendit. Murat Jashari nuk ishte askund në listën e pretendentve. Dikush i kishte rekomanduar zotit Kurti që ta kandidonte zotin Jashari, por ai kandidoi Vjosa Osmanin”, thekson Bytyçi.Më tej, profesor Bytyçi ka treguar edhe arsyet pse pikërisht tani emri i Murat Jasharit po lakohet për President.“Pasi AAK, PDK dhe LDK dështuan në këto zgjedhje ato nuk shohin më asnjë mundësi që të imponojnë kandidatët e tyre të mëparshme për detyrën e kreut të shtetit. Kjo është arsyeja pse ata po e keqpërdorin dhe po spekulojnë me emrin e Murat Jasharit.

Qëllimi i tyre është që të bëjnë diversion ndaj Albin Kurtit dhe të mundësojnë një konflikt midis tij dhe familjes Jashari, pasi që dihet se zoti Kurti nuk mund të heqë dorë nga mbështetja e kandidaturës së tij për presidente. Qëllimi tjetër lidhet me diversionin tjetër kundër Vjosa Osmanit, me qëllim që të krijojnë një hendek edhe midis kësaj dhe familjes Jashari dhe mbështetësve të kësaj ideje”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.“Pra propozimi i Haradinajt dhe PDK-së për zotin Jashari për postin e presidentit është intrigë dhe hipokrizi njëkohësisht. Intrigë që çon në përçarje dhe hipokrizi, sepse e prodhuan këtë propozim pasi që vetë dështuan të marrin institucionin e presidentit. Është ndoshta lëvizja e fundit djallëzore e humbësve të mëdhenj të 14 shkurtit dhe gardës së korruptuar të qeverisjes. Por nuk përjashtohet që kjo intrigë të jetë sajuar edhe në qelinë e Hagës. Thaçi e ndoshta Veseli atje nuk kanë me çfarë tjetër të merren, përveçse të prodhojnë intriga dhe përçarje sipas një skeme të tillë në Kosovë”, shton Bytyçi.
Ai thotë se Murat Jashari po përdoret dhe keqpërdoret.“As ai dhe askush tjetër në Kosovë kësaj radhe nuk mund ta pretendojë detyrën e presidentit/ës, përveç Vjosa Osmanit, sepse Kosova e ka votuar në mënyrë plebishitare për këtë post të paralajmëruar që me fillimin e fushatës së zgjedhjeve, në fillim të janarit. Zoti Jashari ka mundësi ta pretendojë e ta marrë këtë post në një rast tjetër të mëvonshëm. Por ju siguroj se partitë me politikanë të korruptuar dhe intrigantë nuk do ta lejojnë atë edhe në rrethana favorizuese që ai të bëhet kryetar shteti në Kosovë. Ata thjesht po i a përmendin emrin për ta joshur, për t’i thënë se “Ne jemi gati t’ju mbështesim për president të Kosovës, por janë Vjosa dhe Albini, ata që nuk e duan këtë”!”, deklaron Bytyçi.Për fund, ai thotë se propozimi i Murat Jasharit për president, është intrigë e radhës e politikanëve të korruptuar.“Unë besoj se Murat Jashari e kupton ose duhet ta kuptojë se propozimi i tij për atë post është i pasinqertë dhe intrigë e radhës e intrigantëve që u pasuruan me korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Ai dhe politikanët e deputetët e sinqertë të Kosovës duhet t’i kundërvihen politikës përçarëse të vjetër, sepse Kosova nuk mund të përparojë me politika të tilla. Nuk shkohet përpara me intriga dhe pabesi, me gënjeshtra dhe mashtrime”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi

Lajme