Lexoni, si përfundoi i riu që e mallkoi nënën, për shkak të bashkëshortes

Lexoni, si përfundoi i riu që e mallkoi nënën, për shkak të bashkëshortes

(Tregim këshillues)

Imami i një xhamie në Arabinë Saudite, e ka raportuar një rast të cilin ia kishte treguar profesori i tij. Profesori kishte treguar si vijon:

“Derisa isha ulur në xhami pas namazit, tek unë erdhi njëri nga xhemati. Ai ishte dukshëm i mërzitur, nervoz dhe nga pak i zemëruar. Më dha selam dhe u ul para meje. Pasi që më pyeti se a kisha kohë, duke u kujdesur që mos ta dëgjojë dikush, me zë të ulët më tha:

“O imam, kam probleme me nënën time!”

Unë ende pa arritur që ta pyes se çfarë për çfarë problemi e ka fjalën, ai filloi ta mallkonte nënën e tij dhe ta fyente!!

Ishte mbërthyer plot zemërim. Arrita që ta qetësoja vetëm për pak çaste, dhe t’i them se është mëkat i madh t’i mallkosh prindërit e tu, më pastaj e pyeta për shkakun.

Me psherëtima të thella, më tha se nëna e tij po i bënte sihir gruas së tij. Dukej mjaft i bindur. Unë e pyeta, prej nga e di ti se pikërisht ajo po i bënte sihir gruas sate, a ke ndonjë provë?

Ai vetëm mu përgjigj shkurtimisht: “Më ka treguar gruaja ime, nëna këtë po e mohon kurse ajo (gruaja e tij) thotë se është e sigurt se ajo e ka bërë!”

Subhanallah, nënën e bën gënjeshtare, kurse gruas i beson menjëherë, pa asnjë provë.

I thashë atij që mos të nxitojë me vendimin, dhe që nesër vëllai i tij më i vjetër, nëna e tij, ai dhe gruaja e tij të vijnë tek unë për një intervistë. Dhe ashtu ndodhi.

Kur ata mbërritën, filloi biseda, u thanë fjalë të rënda, akuza dhe ngritje e zërit.

Nëna me lot në sy u betua se nuk kishte lidhje me të dhe se ajo ishte e pafajshme.

Nëpërmjet rrëfimeve të tyre, arrita në përfundimin se nëna po e fliste të vërtetën. Mirëpo, gruaja e tij as që donte të dëgjonte se ka bërë gabim, vetëm u pajtua se do t’i besonte vjehrrës saj, nëse ajo në Qabe betohet në Allahun, se nuk ka lidhje me të.

Edhe unë u pajtova për këtë. E dërgova atë me djalin e saj më të madh, dhe prej tij e mora numrin e telefonit, që të më informojë për rrjedhën e mëtejshme të ngjarjes.

Djali i saj më i madh, i cili ishte me të tregon: “Ne hymë në Harem, ajo i fali dy rekate namaz dhe filloi të lutet, ajo lutej me lot, në shpirt e kishte një peshë e madhe, ishte e akuzuar dhe e shpifur për një gjë të madhe. Ajo lutej me këto fjalë: “O Zoti im, nëse unë jam fajtore dhe nëse është e vërtetë ajo që ata thonë për mua, mos më lejo që të kthehem në shtëpi e gjallë, por nëse ata janë duke gënjyer për mua, atëherë bëje që të zbulohet turpi i tyre dhe më mbro mua nga padrejtësia e tyre!”

“Ajo qau për një kohë të gjatë, shpirti më copëtohej derisa e shikoja me lot”, thotë djali i saj më i madh, i cili ishte me të.

Pasi u kthyen në shtëpi, i priti lajmi se djali i saj bashkë me gruaja e tij kishin vdekur në një aksident me makinë.

“E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur).” (Ibrahim, 42)

Saudin Cokoja;

Përkthim: Miftar Ajdini

Lajme