Këto janë kushtet e Xhavit Halitit për VV-në rreth çështjes së presidentes

Këto janë kushtet e Xhavit Halitit për VV-në rreth çështjes së presidentes

Deputeti i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti nuk ka pohuar e as nuk ka mohuar nëse kjo parti do të qëndrojë në sallë dhe do t’ia sigurojë kuorumin Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Në një prononcim për Front Online, Haliti ka deklaruar se mendon se është shumë që një parti e vetme t’i ketë të gjitha pushtetet.“Ne akoma si parti nuk kemi një vendim konkret çfarë do të bëjmë në seancën kur zgjedhet Presidenti ose kur do të mbahet ajo seancë, por unë personalisht mendoj që është shumë për të pasë në pushtet një parti e vetme për t’i pasë krejt pushtetet kryesore dhe mendoj që do të duhej me reflektu si parti dhe si subjekt vet Vetëvendosja që të jep një mundësi shtesë për njërin nga institucionet që ta ketë opozita ose në variantin tjetër të ketë një figurë unifikuese jashtë partiake e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë”, ka thënë Haliti. I pyetur se e ka fjalën për pozitën e presidentit, Haliti nuk ka dhënë përgjigje konkrete, por ka shtuar se është e dëmshme për demokracinë që një parti t’i ketë tri pushtete.

“Tani unë mendoj se është shumë, një vendosje e kontrollit të tri pushteteve dhe mendoj që nuk i bën mirë demokracisë dhe procesit në të cilin po ecim, por edhe në koordinimin do të thoja të politikës shtetërore që duhet të bëhet edhe në raport me opozitën edhe pozitën”, është shprehur Haliti.Por, çka nëse ju ofrohet pozita e kryetarit të Kuvendit?

Haliti edhe për këtë ka qenë i rezervuar në përgjigje.

“Unë nuk jam sot për t’u përgjigjur në këtë pyetje, nuk po kushtëzoj dhe nuk është interes i imi personal, por unë mendoj që praktikat në vendet demokratike janë të tilla përjashto shtete presidenciale që kanë një mënyrë tjetër që pak a shumë pushteti qëndror duhet të jetë, s’kisha me thënë i kontrolluar sepse ata për t’a kontrollua ka republika parlamentare, por të jetë i balancuar”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Seanca e Kuvendit për konstituimin e institucioneve të reja do të mbahet më 22 mars.

Lajme